
Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku janë përcaktuar përfundimisht emrat e anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar të kryeministrit Avdullah Hoti, që pritet të votohet nesër në Kuvend.
Ajo që bie në sy në listën e ministrave të rinj është emri i Agim Veliut, i cili rikthehet sërish në detyrën e ministrit të Brendshëm.
Në përfundim të mbledhjes, kreu i LDK, Isa Mustafa tha përpara mediave se Kosova nesër pritet të ketë qeverinë e re, e cila do t’i duhet të përballet me sfidat që ka përpara vendi.
“Jemi para një thirrje të seancës për zgjedhjen e qeverisë së re, po bëjmë përgatitjet për këtë seancë. Vlerësojmë të rëndësishme këtë seancë në mënyrë që LDK ta marrë drejtimin e qeverisë, e kemi për obligim t’i forcojmë institucionet, të ballafaqohemi me sfidat që na presin, ajo ndaj pandemisë dhe po ashtu të sigurojmë një menaxhim të mirë të Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi po ashtu edhe rimëkëmbjen ekonomike, sidomos sektorin privat dhe presim që të sfidohemi”, u shpreh Mustafa.
Lista e Ministrave të LDK
Driton Selmanaj, zv/kryeministër
Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme
Hikmete Bajrami, Ministre e Financave
Arban Abrashi, Ministër i Infrastrukturës
Anton Quni, Ministër i Mbrojtjes
Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë
Besian Mustafa, Ministër i Bujqësisë
Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës (A2 Televizion)