Në kuvendin e Kosovës, mbahet sot seanca për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, me propozim të grupit parlamentar të LDK-së. Seanca pritet të nisë në orën 11, mbi bazë të kërkesës së 44 deputetëve. Mocioni përkrahet edhe nga partitë opozitare, PDK, AAK dhe Nisma.
Mediat në vend raportojnë se së shpejti Kosova do të ketë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë Partia Demokratike e Kosovës. Ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, mbështeti vendimin për mbajtjen seancës për votëbesimin ndaj qeverisë Kurti. “Jam i kënaqur të shoh që Parlamenti do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti, është e rëndësishme që Parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shprehet ambasadori Kosnett.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeverisës, dorëzoi mandatin 4 ditë më parë. Mocioni pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e saj, Agim Veliu nga ana e kryeministrit Kurti, siç thuhet për mos heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Kriza politike në Kosovë, ka zhvendosur vëmendjen nga situata shëndetësore për shkak të covid-19. Shifrat janë rritur gjatë orëve të fundit, me 63 të prekur dhe 1 viktimë. (A2 Televizion)