Vrasësi që tronditi Tiranën, policia zbardh dinamikën e vrasjes së trefishtë

Nga A2 CNN
1 Mars 2023, 19:58 | Kronikë
Vrasësi që tronditi Tiranën, policia zbardh dinamikën e

Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat pak minuta pas arrestimit të 40 vjeçarit Dan Hutra, i cili mesditën e së mërkurës vrau 3 gra në 3 ngjarje të ndryshme duke zbrazur breshëri automatiku ndaj tyre.

Sipas Policisë së Shtetit, Dan Hutra, një person me precedentë të theksuar kriminalë u arrestua rreth orës 18:45 minuta në zonën e Sharrës në Tiranë dhe nuk bëri rezistencë. Gjithashtu, në këtë moment atij iu gjet dhe arma e krimit, një automatik kallashnikov.

Në komunikatën zyrtare për këtë krim që tronditi kryeqytetin, policia bën me dije se në orën 12 e 15, Dan Hutra, në rrugën "Teodor Keko", në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, plagosi me thikë shtetasen M. G., 40 vjeçe, banuese në Astir.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori u largua me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën "Rustem Haklaj", në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Shtetasi Dan Hutra plagosi me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe vrau shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos