
Krimi brenda familjes i mori jetën dy grave, ndërsa dy të tjera mbetën të plagosura rëndë mesditën e kësaj të mërkure në Kamëz. Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi vetëm tre kilometra larg në rrugën Besëlidhja, ku 31-vjeçarja, Etleva Kurti, u qëllua për vdekje.
Ndonëse policia dyshon se vrasjet e njëpasnjëshme janë kryer nga i njëjti autor, ende diçka e tillë nuk është zyrtarizuar.
Dan Hutra mendohet se është vrasësi i tre grave, por dhe i plagosjes së një tjetre në zonën e Astirit. Ai u vu në pranga mbrëmjen e së mërkurës.
Dyshohet se fillimisht, rreth mesditës, 40-vjeçari shkoi në zonën e Astirit dhe qëlloi me thikë Marjana Gurakuqin, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës. Më pas, Hutra u drejtua për në Kodër Kamëz për të vrarë ish-gruan e tij, Elena Hysa me të cilën kishte disa muaj që ishte ndarë. Si pasojë e breshërisë së kallashnikovit, mbetën të vrara Mevlute Hysa 30 vjeçe, motra e ish-bashkëshortes së tij dhe 30-vjecarja Hasime Dafku, ish-kunata.
Të plagosura mbetën dhe ish-bashkëjetuesja Elena dhe e ëma e saj Kujtime Hysa, të cilat po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës. Ish-bashkëshortja Elena e kishte denoncuar në polici për dhunë në familje ndërsa 40-vjecari edhe pse ishte arrestuar në qershor të vitit 2022 kishte lënë qelinë në shkurt të këtij viti.
Ndërkohë, dyshohet se pas masakrës në Kodër Kamëz ai nuk është mjaftuar. Vetëm tre kilometra më tutje në rrugën Besëlidhja, ndaloi makinën dhe ekzekutoi në oborrin e shtëpisë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.
Etleva është e motra e Vladimir Kurtit, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Agim Bucit në vitin 2018. Vladimir Kurti vëllai i Etlevës reagoi duke u shprehur se autor i vrasjes së motrës së tij është pikërisht Dan Hutra, pasi e kishte kërcënuar edhe më herët, kur të dy vuanin dënimin në burgun e Drenovës. Sipas policisë, 40-vjeçari Hutra është person me precedent të theksuar kriminalë. Në vitin 2007, ai u dënua pasi vrau me armë zjarri ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e qëlloi me dy goditje me thikë në zemër. (A2 Televizion)