Vrasja e 17-vjeçarit në Francë, edhe Mbappe e portieri i Milanit “bashkohen” me protestuesit

Nga A2 CNN
28 Qershor 2023, 16:11 | Bota

Yjet e Kombëtares së Francës në futboll kanë shprehur zemërimin e tyre pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë kur një polic ekzekutoi një 17-vjeçar me pistoletë pasi nuk iu bind urdhrit të tij pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit Rrugor.

“Më dhemb për Francën time. Situatë e papranueshme. Ky engjëll i vogël iku shumë shpejt”, shkroi në Twitter Mbappe. Po ashtu, për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar edhe mbrojtësi i Barcelonës Jules Koundé dhe portieri i Milanit, Mike Maignan.

Parisi kaloi një natë të gjatë trazirash. Viktima kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe sipas autoriteteve refuzoi të ndalonte pas thirrjes së tyre. Vrasja u filmua dhe u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke nxitur zemërim. Policia tha fillimisht se ishte detyruar të hapte zjarr pasi adoleshenti kishte tentuar t’i përplaste me makinë, version i cili u rrëzua pas publikimit të videos.

Me mijëra të rinj dolën në rrugët e Parisit duke iu vënë flakën kazanëve të plehrave e duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë.

Oficeri i policisë që ekzekutoi 17-vjeçarin e kaloi natën në paraburgim, ndërsa ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, bëri apel për qetësi.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos