Vrasja e Admir Muratajt, familjarët kërkojnë në Prokurori autorët

Nga A2 CNN
2 Maj 2019, 11:52 | Kronikë
Vrasja e Admir Muratajt, familjarët kërkojnë në Prokurori

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk mundi të pushojë çështjen ndaj Admir Muratajt, i vrarë pas grabitjes së 9 prillit në Rinas, i cili akuzohet për tre grabitje te blindave të bankave të nivelit të dytë në vitet 2015-2017. Gjyqi u shty më 14 maj, pasi Prokuroria nuk kishte sjellë as certifikatën e vdekjes dhe as akte të tjera që provojnë vdekjen e tij.

Kjo duket se i ka shtuar edhe më shumë dilemat e vrasjes së Admirit, të paktën te familjarët e tij, të cilët ditën e sotme kanë shkuar në Prokurori, duke kërkuar të mësojnë për autorët e vrasjes.

Një tjetër provë dorëzuar prokurorëve është edhe akt-ekspertimi mjeko ligjor i të ndjerit Admir Murataj. Dilemat e ngritura pas ngjarjes se kush qëlloi mbi njeriun që organizoi grabitjen e 6 milionë eurove, vijojnë edhe pas raportit mjeko–ligjor.

I cilësuar si organizatori i grabitjes, Murataj mbante një maskë, e cila është tashmë një provë materiale në duart e policisë. Autopsia tregon se Murataj u qëllua me një armë Kallashnikov, në syrin e djathtë, i cili e bëri të pa identifikueshëm imazhin e tij. U desh ndërhyrja e familjarëve që të bëjnë identifikimin e kufomës. Por distanca nga e cila është qëlluar Admir Murataj mbetet enigmë, bashkë me personin që e eliminoi atë, pak minuta pas grabitjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos