
Një gjykatë në Arabinë Saudite dënoi me burg nga 7 deri në 20 vite, 8 persona të cilët dyshohet se kishin lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Personat e akuzuar rrezikonin dënim me vdekje, por ai u hoq pasi familjarët e Khashoggit vendosën t’i falnin për krimin e kryer.
Ky gjyq u kritikua ashpër nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat për të drejtat e njeriut të cilat deklaronin se organizatorët e kësaj vrasje janë ende të lirë.
Khashoggi, një kritik i princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman, u pa për herë të fundit ndërsa hynte në konsullatën e Stambollit për të marrë disa dokumente. Trupi i tij u copëtua dhe u largua nga ndërtesa dhe nuk u gjet kurrë.
Mediat shtetërore raportojnë se 5 nga 8 të akuzuarit u dënuan me nga 20 vjet burg, një me 10 vjet dhe 2 të tjerë me nga 7 vjet. (A2 Televizion)