
Dëshmia e një vajze ka qenë thelbësore për grupin e hetimit në zbardhjen e vrasjes së biznesmenit 51-vjeçar, Ardian Nikulaj. Referuar thënieve të deklarueses, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye të sekretit hetimor, portugezi Ruben Saraiva, i dyshuar si ekzekutori i Nikulajt, është pritur nga Edmond Haxhia teksa ka mbërritur në Shqipëri përmes Rinasit më 14 shkurt.
Po nga Haxhia, i dyshuar si organizator i krimit, janë pritur edhe 4 britanikët e tjerë, të dyshuar si personat që kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Nikulajt. Fillimisht portugezi është akomoduar në një hotel në Shëngjin, fare pak metra larg lokalit ku kreu vrasjen pas mesditës së 19 prillit.
“Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër”, ka treguar deklaruesja, e cila pranon se ka blerë motorin e përdorur prej tij në Tiranë. Dëshmitarja ka treguar se motorin e përdorur nga Saravia pas krimit e ka parë me herët tek magazina e shtëpisë së Edmond Haxhisë në Kakarriq të Lezhës. “Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen Lezhë, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë”, ka rrëfyer ajo.
Referuar dëshmisë, të administruar nga grupi i hetimit, portugezi kishte mësuar të përshëndeste në gjuhën shqipe banorët e zonës, ndërsa me shqiptaro-britanikun Edmond Hoxha komunikonte në anglisht.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se deklarimet në fjalë janë kryqëzuar edhe me prova të tjera, mes të cilave pamjet filmike të vendeve të frekuentuara nga gjashtë të dyshuarit, por edhe prova shkencore. Kështu, hetuesit kanë gjetur përputhje mes ADN-së së gjetur në objekte në dhomën e përdorur nga britaniku Harry Simpson dhe një çamçakëzi të gjetur në magazinën e Edmond Haxhias, por edhe me atë të një palë dorezave në një mjet te marrë me qira nga Haxhia.
Në një konferencë për mediat të mërkurën, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij "Coral" ka ndodhur për motive gjakmarrje. Porositësi dhe financuesi i vrasjes, dyshohet se ka qenë Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Haxhia ishte kthyer në Shqipëri prej disa muajsh.
Të shpallur në kërkim nga policia:
Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro-britanik (porositësi dhe financuesi i atentatit)
Ruben Saraiva (ekzekutori portugez)
Harry Simson, shtetas britanik
Harriet Bridgeman, shtetase britanike
Thomas Mithan, shtetas britanik
Steven Hunt, shtetas britanik (shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vëzhgon lëvizjet e Nikulajt)
Si ndodhi vrasja?
Ekzekutori i 51-vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar.
Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.
Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.
Motomjeti dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje.
Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit. Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit.
Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj. (A2 Televizion)