
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 25 vjet burg për Arbër Paplekajn, në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Vrasja në Elbasan shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës.
Partia Demokratike akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve.
Viktima Pjerin Xhuvani është akuzuar më parë nga Partia Demokratike, si organizator i përplasjes me simpatizantët e PD-së në Ditën e Verës në datën 14 mars.
Ndërkohë për dy ish-nëndrejtorët e policisë, Prokuroria kërkoi 2 vite shërbim prove dhe 8 muaj shërbim prove për punonjësit e tjerë të policisë.
Sipas hetimeve, zv/drejtorët e Policisë, Albert Nushi dhe Niko Palla ndonëse kanë qenë të pranishëm në situatën e tensionuar mes simpatizantëve të PD-së e PS-së, nuk kanë kryer veprimet e duhura në parandalimin e krimit dhe as nuk kanë koordinuar vartësit e tyre pas të shtënave. (A2 Televizion)