
Këshilli i Rregullores së Kuvendit vendosi të marrë në shqyrtim edhe kërkesën e Partisë Demokratike për ndërprerjen e mandatit të Olta Xhaçkës. 15 deputetë të PD-së mbështetës të Sali Berishës kishin depozituar kërkesën të cilën Lindita Nikolla vendosi ta unifikojë me atë të paraqitur nga grupimi i Enkelejd Alibeajt.
“Nuk ka asnjë të dhënë shtesë që do të lejonte bashkimin apo do të mundësonte ndonjë gjë shtesë nga ajo që kemi shqyrtuar deri tani”, tha Gazmend Bardhi.
Ndërsa Ermonela Felaj deklaroi: “Duke qenë se objekti është i njëjtë, kjo kërkesë për mocion t’i bashkohet kërkesës së depozituar më parë”.
Seanca e radhës e Këshilli të Rregullores kishte parashikuar një dëgjesë me ministren Xhaçka e cila zgjodhi të përfaqësohej nga avokati i saj Genc Çifligu. Në mbi 40 minuta parashtrime, argumentet e tij kishin një konkluzion të vetëm.
“Veprimtaria fitimprurëse e bashkëshortit të deputetes nuk rezulton të burojë nga pasur shtetërore pasi nuk rezulton asnjë kontratë, por referuar vendimit të komitetit të investimeve strategjikë, nuk parashikohet të ketë as në të ardhme ndonjë marrëdhënie kontraktuale”, u shpreh avokati.
Ministrja Xhaçka në interpelancën e para disa javëve në Kuvend deklaroi se bashkëshorti i saj kishte përfituar vetëm përdorimin e hapësirës publike në plazhin e Dhërmiut, për të cilën avokati hoqi një paralele para deputetëve.
“Përdorimi i këtyre hapësira publike nuk mund të konsiderohet se po ushtrohet veprimtari fitimprurëse me pasuri publike. Përdorimi i bregut të detit është njësoj me përdorimin që mund të bëj një restorant, bar kafe duke vendosur karrige apo tavolina në hapësira publike. Me këtë logjikë do të kërkohet mbarimi apo pavlefshmëria e mandatit të çdo deputeti nëse persona të lidhur me të shfrytëzojnë këto hapësira publike”, shtoi Çifligu.
Pas avokatit Lindia Nikolla nuk pranoi që të bëheshin pyetje duke njoftuar se shqyrtimi parlamentar për mandatin e Olta Xhaçkës do të vijojë të premten tjetër me dëgjesën e grupimit të Sali Berishës.
Reagimet politike erdhën pas mbledhjes ku Gazmend Bardhi akuzoi Ministren se u fsheh pas avokatit ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e konsideroi procesin e nisur nga opozita si një flluskë sapuni ndërsa shtoi se e pranuan kërkesën e PD-së së Sali Berishës pasi në të nuk ishte firma e kryedemokratit. (A2 Televizion)