
Efektivët e Policisë Ludian Zaimi e Lutfi Gjyla, të arrestuar për vrasje dhe plagosje të kryer me armët e tyre të shërbimit, dolën këtë të enjte para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Në dy seanca të veçuara, pendesa e secilit prej tyre nuk bindi gjyqtarin e masave, Sokol Pasho, i cili vendosi lënien e tyre në “arrest në burg”.
Sipas avokatit Gorishti, klienti i tij nuk ka dhënë shpjegime lidhur me konfliktet e vijueshme me viktimën Çaush Saliasi. Ky i fundit u qëllua me armë nga kolegu Zaimi mbrëmjen e së hënës, brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në kryeqytet.
Pas arrestimit, 25-vjeçari pretendoi se ishte bullizuar dhe fyer prej muajsh nga kolegu 55 vjeçar.
Në seancën tjetër, Lutfi Gjyla, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, tha se plagosja e Myrteza Likës prej tij kishte qenë aksidentale.
“Më është shkrepur arma pa dashje”, mësohet të ketë thënë Gjyla në seancë, duke treguar si u plagos personi që ishte në të njëjtën tavolinë me të mbrëmjen e së hënës në Kombinat.
Sipas prokurorisë, pas arrestimit, rezultoi se në kohën e ngjarjes efektivi i FNSH ishte në gjendje të dehur. (A2 Televizion)