
Një person me motor, me skafandër në kokë, është autori i vrasjes së Ismet Çekorjes. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen Guerrile aty ku ekzekutua me 7 plumba pistolete 57-vjeçari.
Burime pranë grupit hetimor në Policinë e Shkodrës bëjnë me dije se vrasësi ka mbërritur me motor pranë vendit të ngjarjes, është ndalur, ka qëlluar ndaj 57-vjeçarit dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Për shkak të skafandrës, është i pamundur identifikimi i autorit të ngjarjes, por blutë e Shkodrës kanë bërë edhe sekuestrimin e kamerave të tjera të sigurisë në segmente të tjera të qytetit, për të parë nëse në ndonjë moment autori ka hequr skafandrën, çka do të bënte të mundur identifikimin e tij.
Mbetet ende enigmë nëse 57-vjeçari është thirrur, nga një person për të dalë nga banesa edhe pse në momentin e ngjarjes, ai ka qenë disa metra larg banesës së tij pranë një dyqani të vogël duke konsumuar një birrë.
Ndërkohë nga ana tjetër, Policia e Shkodrës ka shoqëruar deri tani 8 persona në ambientet e komisariatit si dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe persona që kanë dijeni për këtë atentat. Mes personave të shoqëruar për të dhënë dëshmi, është edhe 25-vjeçari Alban Bruçi, së bashku me të atin e tij, i cili i shpëtoi atentatit mbrëmjen e 25-gushtit.
Megjithatë, Policia e Shkodrës ka ngritur disa pista hetimi në lidhje më këtë ngjarje pasi nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi pasi djali i viktimës ka qenë dy herë i ndaluar si i përfshirë në disa ngjarje në qytet. (A2 Televizion)