Vrau të moshuarin e paarmatosur, del para gjykatës rusi i parë i akuzuar për krime lufte

Nga A2 CNN
13 Maj 2022, 17:15 | Bota
Vrau të moshuarin e paarmatosur, del para gjykatës rusi i parë i

Ky është gjyqi i parë që zhvillohet në Ukrainë për krime lufte. Një ushtar rus doli para gjykatës pasi akuzohet për vrasjen e një civili 62-vjeçar të paarmatosur në një fshat pranë Kievit.

21-vjeçari, i cili u mbajt në një kafaz të vogël xhami gjatë seancës së parë, u identifikua me emrin Vadim Shishimarin, ushtar i divizionit të tankeve Kantemirovskaya nga rajoni i Moskës.

Rasti ka një rëndësi shumë të madhe simbolike për Ukrainën dhe është i pari që një anëtar i ushtrisë së Vladimir Putin procedohet për krime lufte gjatë 11 javëve të konfliktit të armatosur.

Ushtari rus mund të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryer në datën 28 shkurt. 

Në një deklaratë, zyra e Prokurorisë së Përgjithshme tha se Shishmarin rrëmbeu një automjet privat për t’u arratisur bashkë me 4 ushtarë rusë të tjerë pasi batalioni i tyre i sulmua nga forcat ukrainase.

Trupat e Putinit udhëtuan për në fshatin Chupakhivka ku panë një banor të paarmatosur duke ecur me biçkletë, të cilin e qëlluan për vdekje nga xhami i makinës.

Thuhet se i dyshuari u urdhërua ta vriste të moshuarin në mënyrë që ai të mos informonte të tjerët për prezencën e trupave ruse. Shërbimi sekret i Ukrainës ka kryer hetimet lidhur me këtë çështje, por nuk është bërë e ditur se çfarë provash janë mbledhur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos