
Një shkencëtar iranian, i konsideruar si guruja i programit bërthamor në Iran u vra në mes të rrugës për në Teheran nga një grup i armatosur.
Mohsen Fakhrizadeh ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur grupi i sulmuesve që i kishte zënë pritë në Absarad hapi zjarr. Dëshmitarët flasin se më herët është dëgjuar dhe një shpërthim.
Përpjekjet për ta mbajtur të sigurt Fakhrizadeh dështuan dhe në sulm u plagos dhe truproja e tij. Ende nuk është e qartë se kush janë autorët e këtij sulmi.
Ministria iraniane e Mbrojtjes konfirmoi përmes një deklarate vdekjen e Fakhrizadeh. “Përgjatë një përleshje mes ekipit të sigurisë dhe terroristëve Mohsen Fakhrizadeh mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua në spital. Fatkeqësisht për shkak të plagëve të marra mjekët nuk mundën ta mbanin në jetë dhe ai ndërroi jetë disa minuta më vonë”.
Emri i Fakhrizadeh ishte përmendur disa vite më parë gjatë një deklarate publike dhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. “Mbajeni mend këtë emër, Mohsen Fakhrizadeh. Është drejtori i programit bërthamor të Iranit”, do të thoshte Netanyahu, më 2018.
Për këtë ngjarje u pyet dhe ushtria izaelite, por ajo reagoi duke thënë se nuk i komenton lajmet e mediave të huaja. (A2 Televizion)