Vritet nga bombardimet në Severodonetsk gazetari francez

Nga A2 CNN
30 Maj 2022, 17:11 | Bota
Vritet nga bombardimet në Severodonetsk gazetari francez

Një gazetar francez u vra pranë Severodonetsk, një qytet ukrainas në qendër të ofensivës ruse. Bëhet fjalë për gazetarin Frederic Leclerc-Imhoff, të BFMTV, i cili ishte duke raportuar mbi evakuimin e civilëve nga qyteti

Guvernatori rajonal i Luganskut, Serhiy Gaidai tha: "Sot automjeti ynë i blinduar, i përdorur për evakuime, do të merrte 10 persona nga zona, kur u vu nën zjarrin e armikut. Bombardimet e granatave shpuan blindat e makinës dhe një gazetar francez, i cili po raportonte për evakuimin, u plagos për vdekje”.

Redaksia e BFMTV dhe grupi mediatik Altice kanë shprehur dhimbjen për vdekjen e gazetarit të tyre.

“Frédéric Leclerc-Imhoff, reporter i imazheve, u vra të hënën në rrugën për në Lyssytchansk në rajonin Severodonetsk, Ukrainë. Gazetari ynë po mbulonte luftën në vazhdim. Ai mbeti viktimë e predhave teksa po ndiqte një operacion humanitar në një automjet të blinduar të hënën. Ai shoqërohej nga kolegu i tij Maxime Brandstaetter, i cili mbeti i plagosur lehtë gjatë kësaj goditjeje.

32-vjeçari Frédéric Leclerc-Imhoff punonte prej 6 vjetësh për kanalin tonë. Ai ishte i diplomuar në Institutin e Gazetarisë Bordeaux Aquitaine. Ishte misioni i tij i dytë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, i cili filloi më 24 shkurt”, njofton redaksia e cila thekson se “kjo ngjarje tragjike na kujton rreziqet që kanë të gjithë gazetarët të cilët prej më shumë se tre muajsh raportojnë për këtë konflikt duke rrezikuar jetën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos