
Siguria në plazhe, në kuptimin e parashikuar edhe nga legjislacioni shqiptar, vijon të mbetet pika më e dobët gjatë sezonit veror.
Edhe pse në letra, plazhet kanë të kontraktuar vrojtuesit e licencuar, në terren pushuesit shprehen se nuk i kanë parë ndonjëherë.
Kjo ndodh edhe në plazhet publike të bashkisë së Vlorës. “Këtu nuk të vjen asnjë. Unë jam vlonjate dhe këtu nuk kam parë asnjë. Këtu vdiq njëri dhe ne lajmëruam ambulancën”, shprehet një banore e Vlorës. “Çdo vit këtu ka pasur humbje jete, janë mbytur apo infarkt”, thotë një tjetër person.
Trajnuesja e vrojtuesve të plazhit deklaron se përveç vëzhgimit, vrojtuesit trajnohen që edhe të këshillojnë pushuesit, veçanërisht moshat e vogla dhe moshat e treta. “Në letra është, por nëse është apo jo stacioni i plazhit ku nuk më takon mua. Janë shumë të rëndësishëm pasi ata janë për emergjencat më madhore deri tek më të rëndat”.
Trajnuesja shpjegon edhe sipërfaqen e palzhit që duhet të mbulojë një vrojtues. “Me VKM, 80 metra vijë bregdetare, një vrojtues është i aftë ta vrojtojë”, thotë ajo.
Në Vlorë ushtrojnë aktivitet 191 stacione plazhimi. Pavarësisht mangësive që vërehen çdo ditë, policia bashkiake që është e ngarkuar me ligj për monitorimin e situatës nuk ka ndërmarrë asnjë aksion në terren. (A2 Televizion)