
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se do të vaksinohet kundër koronavirusit pas 7-8 ditësh me vaksinën kineze që mbërriti në vend sot.
Deklarata e presidentit serb u bë nga aeroporti i Beogradit Nikola Tesla, ku ai priti avionin me një milion doza të vaksinës kineze këtë mëngjes.
Vuçiç theksoi se është e rëndësishme që të moshuarit të vaksinohen të parët pasi janë kategoria më e ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit me koronavirus.
Ai konfirmoi se bashkë me të vaksinën kineze do ta marrë edhe ministri i shëndetësisë, Zlatibor Loncar.
Vaksinat u shpërndanë në 10 kontejnerë me 125,000 doza në secilën prej tyre, tha Vuçiç.
Vaksina kineze Sinopharm është vaksina e tretë që përdoret në këtë vend, pas vaksinës Pfizer dhe ruse Sputnik V.
Autoritetet serbe kanë rënë dakord të marrin vaksina të ndryshme për të treguar se të gjitha janë me cilësi të mirë, efektive dhe të sigurt.
Kryeministrja Ana Brnabic u vaksinua me Pfizer-BioNtech, si edhe ministrja e Punës. Kreu i parlamentit dhe ish-ministri i jashtëm Ivica Daçiç mori vaksinën ruse Sputnik V, së bashku me ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin. (A2 Televizion)