Zbutja e tensioneve Greqi-Turqi, nuk do të ketë takim të afërt mes Dendias dhe Cavusoglu

Nga A2 CNN
12 Janar 2021, 16:33 | Ballkani
Zbutja e tensioneve Greqi-Turqi, nuk do të ketë takim të

Nuk do të ketë një takim të afërt mes ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe homologut të tij turk, Mevlut Cavusoglu.

Mediat greke citojnë burime diplomatike greke, të cilat kanë komentuar deklaratat e kryediplomatit turk gjatë takimit, ditën e martë, me ambasadorët e Bashkimit Europian: “Ministri i Jashtëm grek ka prej vitesh një marrëdhënie të afërt miqësore me homologun turk, por nuk ka marrëveshje për një takim mes tyre në të ardhmen e afërt”.

Burimet citohen të thonë se mbetet e hapur mundësia për një takim me Cavusoglu, sapo rrethanat ta lejojnë.  

Më herët, gjatë takimit me ambasadorët e shteteve anëtare, shefi i diplomacisë së Ankarasë tha se kishin rënë dakord për një takim me Dendias, pas caktimit të bisedimeve teknike mes dy vendeve në 25 janar. Në të njëjtën kohë, Cavusoglu paralajmëroi Bashkimin Europian se nëse do të mbështesë Greqinë, ashtu siç bëri në samitin e tetorit, edhe Turqia do të sillet ashtu siç ka bërë së fundmi, duke iu referuar kërkimeve të kontestuara për naftë në Mesdheun lindor.

Ndërkaq, presidenti turk Erdogan u shpreh i përkushtuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, por në të njëjtën kohë i kërkoi Athinës të heqë dorë nga aktivitetet provokuese të viteve të fundit.

Për zbutjen e tensioneve mes dy vendeve lidhur me pretendimet në Mesdhe, u angazhua edhe kryeministri Edi Rama, duke ftuar në një takim në Tiranë dy ministrat e Jashtëm.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos