
Rusia ka sulmuar me breshëri ajrore Ukrainën. Të paktën pesë persona mbetën të plagosur në Kiev pasi ushtria e Putinit lëshoi aty dronë të shumtë. Forcat e armatosura ukrainase njoftuan se zmbrapsën shumicën e sulmeve. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë natës, rusët sulmuan Ukrainën me 35 dronë kamikazë të prodhuar në Iran, por që janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore e Kievit.
Ushtria e Zelenskit thotë se sulmet janë pjesë e përpjekjeve të Moskës për të shkatërruar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ndërsa rusët përpiqen “të zbulojnë se ku ndodhen sistemet e mbrojtjes ajrore”. Bombardime ka patur edhe në zona të tjera. Raketat X-22 të ushtrisë së Putinit goditën qytetin e Odesës, duke shkatërruar një magazinë, por edhe ndërtesa banimi.
Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëron forcat e tij që të përgatiten për zhvillime terroriste nga Rusia përgjatë majit dhe qershorit, veçanërisht në rajonet në Lindje. Gjithashtu premtoi se Moska do të mposhtet në të njëjtën mënyrë siç ndodhi me nazizmin në vitin 1945.
Nga ana tjetër, Rusia pretendon se ka rrezuar 22 dronë të ushtrise Ukrainase ne Detin e Zi. Betejë e ashpër raportohet edhe në Bakhmut, ku mësohet se forcat e Putinit ka shtuar intensitetin e bombardimeve me armë të rënda duke kërkuar pushtimin e plotë të qytetit brenda 9 majit.
Kreu i grupit famëkeq të mercenarëve Wagner, Ivgjeni Prigozhin, bën një hap pas nga kërcënimi për tërheqje duke njoftuar se Rusia i ka premtuar ta furnizojë me armatime për të vijuar betejën në Bakhmut. Sakaq, vijon gjendja e emergjencës në impiantin bërthamor të Zaporizhzhias, bashkë me të edhe evakuimet masive të zonave të banuara përreth. (A2 Televizion)