
Në javën e festës së krijimit të Kievit, Rusia vijon të bëjë dhurata të padëshiruara. Sulmet ajrore, herë me dronë dhe herë me raketa nuk kanë ndalur, po ashtu edhe shpërthimet. Sirenat e alarmit kumbojnë në kryeqytetin ukrainas, me njerëzit e panikosur që vrapuan në rrugë në kërkim të një strehimi të sigurt. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko, njoftoi se nga sulmet disa persona mbetën të lënduar, me copëza raketash që kanë rënë në rrugë. Forcat ajrore ukrainase kanë njoftuar se gjatë orëve të fundit mbrojtja ka shkatërruar 37 raketa dhe 29 dronë kamikazë të tipit Shahed. Përveç kryeqytetit, ushtria ruse ka sulmuar e bombarduar edhe rajone të tjera si Odesa, Khmelnytsky, Lviv dhe Vinytsia.
“Përgjatë historisë së tij, Kievi është përballur me akte mizorie nga pushtuesit. I ka mbijetuar atyre dhe do t’i mbijetojë edhe rusëve. Asnjë prej tyre nuk do të jetë këtu. Kievi së bashku me qytetet tona dhe gjithë Ukrainën, do t’i japin një fund historisë së despotizmit të Moskës, e cila ka shtypur shumë vende për një kohë të gjatë. Asnje dron Shahed dhe as një mënyrë tjetër terrori nuk do ta shpëtojnë Rusinë, pasi fuqia e vërtetë vjen nga njerëzit, qytetet dhe jeta”, u shpreh Zelensky.
Ukraina pretendon se ka vrarë të paktën 207 mijë ushtarë të Rusisë, përgjatë luftës së nisur shkurtin e vitit të kaluar dhe se i ka shkaktuar ushtrisë armike humbje të mëdha në armatime dhe mjete luftuese. Problemet për Moskën nuk përfundojnë me kaq. Themeluesi i grupit famëkeq të mercenarëve rusë Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka sulmuar sërish presidentin Vladimir Putin.
“Nëse nis një luftë, të lutem trego karakter, vullnet dhe guxim. Vetëm me këto cilësi do të jesh në gjendje të arrish diçka”, tha Prigozhin.
Kreu i Wagner është treguar shpeshherë kritik me udhëheqësit në Moskë, veçanërisht me ata në ministrinë e Mbrojtjes, teksa aktualisht forcat e tij kanë nisur tërheqjen nga Bakhmuti, qytet simbol i luftimeve të ashpra mes mercenarëve të Putinit dhe rezistencës së pashtershme të forcave ukrainase. (A2 Televizion)