Princi William dhe Kate Middleton ndanë kartolinën e tyre klasike të Krishtlindjes, duke postuar një foto me tre fëmijët e tyre në profilin zyrtar në Instagram.
Në foton e adhurueshme, Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, të dy 39 vjeç, janë të rrethuar nga fëmijët e tyre, princi George, 8 vjeç, princesha Charlotte, 6 vjeç dhe Louis, 3 vjeç.
Duke ndarë foton me 13.1 milionë ndjekësit e tyre, William dhe Kate shkruajnë:
“Jemi të lumtur të ndajmë një imazh të ri të familjes sonë; imazhi që do të shfaqet në kartolinën e Krishtlindjeve të këtij viti”.
Fotografia, e përdorur si kartolinë e Krishtlindjeve nga familja e Kembrixhit, është bërë në Jordani në fillim të këtij viti dhe do t'i dërgohet si zakonisht familjes, miqve dhe shoqatave bamirëse.
William dhe Kate, të cilët mbajnë me butësi njërën dorë në prehrin e njëri-tjetrit, duken veçanërisht të lumtur, të rrethuar nga fëmijët e tyre. George dhe Charlotte ulen në të dyja anët e prindërve të tyre, ndërsa Louis ulet këmbëkryq përballë mamasë dhe babait.
William dhe Kate zakonisht ndajnë disa foto, megjithëse të rralla, të të gjithë familjes me publikun e gjerë, veçanërisht me rastin e festave apo përvjetorëve zyrtarë.
Vitin e kaluar, për kartolinën e Krishtlindjes, Kate, William, George, Charlotte dhe Louis u fotografuan mbi një mullar kashte në shtëpinë e familjes në Norfolk në Anmer Hall. (A2 Televizion)