Më 31 korrik, kur i përgjigjej Presidentit Meta për përballimin e një tërmeti të mundshëm që mund të trondiste vendin tonë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mendonte se Emergjencat Civile ishin gati për të përballuar një situatë të tillë. Por sot, Xhaçka tha se po të mos kishim ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, bilanci i viktimave do të ishte edhe më i rëndë.
“Një ngjarje e atyre përmasave do të ishte shumë e vështirë për t’u përballuar vetëm edhe nga shtete shumë më të fortë e të zhvilluara se sa ne dhe do kishim pas më shumë jetë të humbura po të mos kishte qenë për ndihmën e menjëhershme që morëm, me ekspertë që punuan me aq heroizëm, me aq përkushtim, në kushte aq të rrezikshme për të shpëtuar jetë. Të 780 ekspertët nga 14 vende që luftuan aq shumë për shqiptarët, do të jenë përjetë në mirënjohjen tonë”, tha Xhaçka.
“Pas asistencës që dhamë që prej të martës pas tërmetit, tani kemi kaluar në fazën e dytë, të përgjigjes dhe asistencës sonë, vlerësimin e dëmeve post-tërmetit. Inxhinierë ndërtimi nga 6 shtete të ndryshme, janë në terren duke vlerësuar dëmet në ndërtesa. Kjo vijon në Durrës, me prioritet janë shkollat, spitalet dhe infrastrukturë. Kjo fazë do të zgjasë disa ditë. Në një fazë të tretë, ne do të shohim sesi BE do të ndihmojë Shqipërinë për t’u ringritur, për tu rindërtuar, në një perspektivë afat-mesme dhe afat-gjatë. Kjo fazë do të nisë të enjten me vizitën e komisionerit tonë të ri të menaxhimit të krizave”, tha Luigi Soreca, ambasador i BE në Tiranë.
400 janë objektet e vlerësuara nga ekspertët në terren, në këtë fazë të dytë të operacionit. Dhe drejtuesi i mekanizmit europian të Mbrojtjes Civile, Peter Glerum, tha se tashmë qytetarët presin një përgjigje, në qoftë se do të kthehen në shtëpitë e tyre apo jo. “Kemi 3 faza, faza e parë ishte ajo e kërkim-shpëtimit. Në fazën e dytë, tani kemi nisur vlerësimin e dëmeve. Duhet t’i themi shqiptarëve në qoftë se mund të kthehen të qetë në shtëpitë e tyre apo në qoftë se disa raste, ato do të duhet të shemben”, tha Peter Glerum, kreu i mekanizmit të mbrojtjes civile të BE. (A2 Televizion)