
“Damian Gjiknuri, rrënjët e promovimit për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së mund t’i ketë nga çështja McGonigal.” Kështu është shprehur deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj, i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Debat” në A2 CNN.
Ndërsa komentonte deklaratat e bëra një ditë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Xhaferaj tha se vetë Taulant Balla është viktimë në këtë rast.
Kjo pasi sipas tij, iu hoq posti që kishte, në mënyrë që të promovohej Gjiknuri i cili “ishte i përfshirë në skandal, sipas deputetit demokrat.
“Taulant Balla mund të jetë viktima e parafundit e skandalit McGonigal. Sepse i fundit është Rama. Gjiknuri, rrënjët e promovimit për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm besoj te skandali i ka. Balla ka qenë viktimë...”
Xhaferaj solli në vëmendje se në gusht-nëntor 2017, ish zyrtari i FBI-së erdhi në Shqipëri për të lobuar “për kompanitë e naftës në interes të Duçkës dhe ish-agjentit të Sigurimit.
“Pastaj ajo që dihet është kjo, që Gjiknuri në shkurt ka nxjerrë një urdhër, ka shpallur tenderin dhe në maj ka nxjerrë një urdhër të dytë që ka detyruar Albpetrolin të lidhë kontratë me Transoil grup...”
Megjithatë, deputeti demokrat e pranoi po ashtu se edhe vetë Sali Berisha nuk është “aq i pastër në këtë çështje.” (A2 Televizion)