
Trajneri Edy Reja i bën thirrje lojtarëve që nuk luajnë gjithmonë të mos mërziten dhe të vijnë në grumbullim. Mungesa e Taulant Xhakës është pikëpyetja e madhe e këtyre dy ndeshjeve të Kombëtares, kundër Andorrës dhe Francës, një përsëritje e rastit Grezda.
Por për trajnerin kuqezi, kjo nuk është tragjedi. “Stafi im bisedoi me atë, i thanë që je i grumbulluar dhe do të luash në njërën prej dy ndeshjeve. Përgjigjja e tij ishte se në ndeshjen e kampionatit doli dhjetë minuta përpara nga fusha pasi kishte një dëmtim muskulor. Kërkoi të qëndronte në shtëpi për t’u rikuperuar, por zgjedhja ishte e tija jo e imja. Ata që vijnë këtu duhet të jenë të qetë, të gjithë mund të luajnë ose askush nuk luan. Nëse duam të krijojmë një grup solid, lojtarë që e duan këtë komb, duhet të vijnë e mos të mërziten edhe kur nuk luajnë”, tha Reja në konferencë për mediat.
“Askush nuk është Messi. Më vjen keq edhe për Grezdën, sepse nuk i pranoi disa situata dhe u largua. Ekipit i nevojitet qetësi dhe frymë grupi, ky qëndrim vlen edhe për lojtarë të rëndësishëm si Xhaka. Nuk ka revoltë brenda grupit, por lojtarë që vetë-përjashtohen. Kjo nuk është tragjedi. Unë dua një familje dhe si në familje ku ka debate apo pakënaqësi, e rëndësishme është që gjërat ti sqarojmë mes nesh”.
Sa i përket sfidës kundër Andorrës, në dukje të fituar që në letër, Reja është i bindur që lojtarët i kanë idetë e qarta. “Kam një skuadër inteligjente, i kanë të qarta vështirësitë që mund të paraqesë një ndeshje si kjo me Andorrën. Prej ditës së parë, e kemi të qartë se nëse nuk fitojmë ndaj Andorrës gjithçka kemi bërë në këto kualifikuese venitet. Kjo është pika jonë e referimit. Duhet të bëjmë një ndeshje me intesitet të lartë dhe të zgjuar taktikisht”, tha ai. (A2 Televizion)