Xhelal Mziu, 3 orë në SPAK

Nga A2 CNN
27 Korrik 2022, 16:50 | Politikë
Xhelal Mziu, 3 orë në SPAK

Pas hyrje-daljeve të shpeshta të personazheve të skenës politike aktuale e asaj të shkuar në ditët e fundit në SPAK, këtë të mërkurë, pragun e Strukturës së Posaçme e kaloi ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.

Për tre orë me radhë, ish-kryebashkiaku Mziu, aktualisht deputet i Partisë Demokratike në Kuvend, u pyet në cilësinë e deklaruesit në lidhje me disa kallëzime të bëra në Prokurorinë e Posaçme nga pasardhësi i tij në Bashkinë e Kamzës, Rakip Suli. Jashtë SPAK, Mziu nuk ndau detaje të thënieve të tij, por ironizoi kallëzuesin. 

Xhelal Mziu është kallëzuar tre herë në SPAK nga Rakip Suli gjatë vitit 2021. Sipas Sulit, Mziu ka shpërdoruar detyrën kur si drejtues i bashkisë ka dhënë leje ndërtimore dhe ka marrë 3% të sipërfaqes të caktuar nga ligji për fondin e banesave sociale. Në dy kallëzimet e tjera, Suli akuzon Mziun për lejimin e ndërtimit të një thertoreje në kundërshtim me ligjin dhe dhënien e një lejeje për një linjë autobuzësh.

Po këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme përfundoi shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Vendimi përfundimtar ndaj ish-kryebashkiakut për të cilin SPAK ka kërkuar dënim me 3 vjet e 4 muaj burg do të shpallet në 29 korrik, në orën 13:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos