
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu ka prezantuar një platformë me disa pika të cilat sipas tij çojnë në zgjidhjen e krizës në parti dhe bashkimin e demokratëve.
Sipas ish-kreut të Bashkisë së Kamzës, Partia Demokratike është në situatën më kritike, çfarë e bënë të domosdoshme bashkimin e plotë të saj, duke mos përjashtuar askënd.
Platforma Mziu
1. Unifikimi total i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, sipas 25 prillit 2021.
2. Heqja dorë nga ankimimi në gjykatën e apelit të vendimit për Partinë Demokratike!
3. Shpallja NUL e çdo përjashtimi, që nga kryesia PDSH, këshilli kombëtar e çdo zgjedhje apo emërim të bërë në strukturën drejtuese e deri në bazën e PD (nga PD apo Foltorja)!
4. Hartimi i një programi e grafiku zgjedhjesh nga baza deri në Kuvendin Kombëtar përbashkues të PD!
5. Grupi parlamentar i PD si e vetmja strukturë e çertefikuar të jetë pjesa substanciale e grupeve të punës në terren nga dy palët, ku zgjedhjet nga Seksioni, Grupseksioni dhe deri në rang Kryetar dege të jenë deri në korrik 2022, më sakt:
A. Zgjedhje të reja në seksione Maj 2022.
B. Zgjedhje të reja në Grupseksione Maj-Qershor 2022.
C. Zgjedhje e Kryetarëve të Degëve në bazë dege dhe Bashkie në Qershor-Korrik 2022.
D. Zgjedhje e Kryetarit të PDSH Korrik ose Gusht 2022.
E. Organizimi i Kuvendit Kombëtar Përbashkues i PD dhe zgjedhja e strukturave të Këshillit Kombëtar të PD, etj në Korrik ose deri Gusht 2022.
F. Mbledhja e Këshillit Kombëtar dhe Zgjedhja e Kryesisë dhe strukturave të tjera drejtuese të PD Gusht ose në Shtator 2022.
H. Të hartojmë një platformë konkurruese qeverisëse të PD (të shpaloset në shtator ose tetor), që të binden jo vetëm demokratët por dhe apolitikët, pse jo dhe socialistët që Shqipëria meriton një qeverisje ndryshe nga sot, një qeveri që i bënë qytetarët shqiptarë që të ndjehen si qytetarët e BE këtu në Shqipëri. (A2 Televizion)