Yjet e Serie A te Dinamo, Miccoli: Do të futem në fushë nëse na duhet goli. Moriero: Paraja s’është gjithçka

Nga A2 CNN
5 Janar 2021, 19:33 | Futboll
Yjet e Serie A te Dinamo, Miccoli: Do të futem në fushë nëse

Francesco Moriero dhe Fabrizio Miccoli janë prezantuar te Dinamo si drejtuesit e rinj të skuadrës.

Moriero, ish-lojtar i Romës, Interit dhe Kombëtares Italiane, do të jetë trajner i parë, ndërsa Miccoli, ish-sulmuesi teknik që publiku shqiptar e ka parë me fanellat e Juventusit, Fiorentinës, Benfikës dhe Palermos, do të jetë zëvendësi i tij.

Në prezantim, Moriero u shpreh se paraja nuk është gjithçka dhe se ai ka ardhur pasi i ka pëlqyer projekti.

“Kam ardhur më parë në Shqipëri të vëzhgoja lojtarë. U takuam me presidentin Pontreli dhe e kuptova rëndësinë e projektit. Po flasim për një ekip që kryeson dhe objektivi ynë është të vazhdojmë me këto rezultate. U thashë djemve në stërvitje se duhet të punojmë çdo ditë për të shkruar historinë, por duke qëndruar me këmbë në tokë”, u shpreh Moriero.

Ndërkohë, me shaka Fabrizio Miccoli tha se do të jetë në fushë nëse ekipit do t’i nevojitet goli. “Është përvoja e parë si trajner. Nëse do të duhet që Dinamo të shënojë, do të futem në fushë. Kam akademinë time dhe ndihesha shumë mirë. Erdha në Shqipëri për të punuar me Morieron, që e kam mik. Nuk kam pasur oferta, ndërsa për fjalët e thëna për Falkonen kam kërkuar falje para 9 apo 10 vjetëve”, tha Miccoli.

Me Morieron dhe Miccolin në stol, Dinamo nuk synon thjesht rikthimin në elitë, por mbi të gjitha edhe nisjen e një projekti të rëndësishëm për të ardhmen e klubit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos