Tirana e pëson si Partizani, i bllokohet merkatoja. Shtyhet afrimi i Taulant Seferit

Nga A2 CNN
5 Janar 2021, 14:31 | Futboll
Tirana e pëson si Partizani, i bllokohet merkatoja. Shtyhet afrimi i

Entuziazmi për afrimin e bujshëm të Taulant Seferit u shoqërua me një prapaskenë që te Tirana e kishin anashkaluar. Përforcimi i bujshëm i janarit duhet të shtyhet në kohë ose të anulohet, pasi merkato e bardhebluve është përkohësisht e bllokuar nga FIFA.

Shkak është bërë gjyqi, ku kampionët në fuqi janë të përfshirë si palë e tretë për ish-futbollistin Moctar Cissé. Lojtari nga Mali u afrua me bujë në verën e vitit 2016. Skuadra e tij e mëparshme, Wydad Casablanca nga Maroku, e hodhi në gjyq sulmuesin, i cili i detyrohej të paguante rreth 300 mijë euro për prishjen e kontratës. Në këtë mes, Tirana, si skuadra pasardhëse, akuzohet si klubi që ka ndërhyrë te futbollisti për të prishur kontratën dhe nëse Cissé nuk e shlyen pagesën tek ish-klubi maroken, barra financiare do të binte te bardheblutë, të cilët do të jenë të detyruar të paguajnë gjobën financiare.

Një rrufe në qiell të hapur, që vjen vetëm pak orë pasi CAS-i në Lozanë i zhbllokoi merkaton Partizanit për një situatë identike. Dënimi i Tiranës është i ngjashëm me rastin e të kuqve, të cilëve iu mbyll merkatoja për detyrimin mbi 80 mijë euro që Erald Çinari i kishte klubit kroat të Istras.

Partizani e fitoi të drejtën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por me koston që nuk realizuan afrime në merkaton e verës. Në këtë rast, Tirana ka dy alternativa. Ose të ndjekë rrugën ligjore drejt CAS-it të Lozanës, por nuk do të përforcohej në merkaton e dimrit, ose të paguajë rreth 300 mijë euro për një situatë në të cilën është përfshirë pa vetëdije. Shifra është e lartë, e aq më tepër për një futbollist që u afrua me bujë në vitin 2016 dhe u largua pas një sezoni ku shënoi vetëm 2 gola në 23 ndeshje.

Zgjidhja më logjike duket Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, që në këtë rast do të mbyllte mundësinë e afrimit të sulmuesit të Kombëtares, Taulant Seferi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos