
Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka deklaruar se do ta ndjekë nga afër çështjen e inceneratorëve në vendin tonë. Në një postim në Twitter, ajo u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për këtë çështje, ndërsa thekson se forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit, janë prioritetet e SHBA-së në Shqipëri.
“Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit, janë prioritetet e SHBA-së në Shqipëri. Mirëpresim zgjatjen e komisionit parlamentar për inceneratorët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Ne do ta ndjekim këtë nga afër”, shkruan Kim.
Për çështjen e inceneratorëve është arrestuar ish-ministri Lefter Koka, ndërsa janë shpallur në kërkim ndërkombëtar biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja. (A2 Televizion)