
Partia Demokratike ka publikuar sot një video të kryeministrit Edi Rama, ku në vitin 2013 zotohej para qytetarëve se do ta drejtonte vetë personalisht, procesin e legalizimeve.
Në videon e publikuar nga PD-ja, shfaqen edhe përgjimet e kreut të Kadastrës, Artan Lame, një vit më parë ku deklaron zvarritjen e procesit të legalizimeve.
Sipas PD-së, Rama i ka mashtruar shqiptarët para çdo palë zgjedhjesh se do t’u legalizonte shtëpitë dhe sot i nxjerr në mes të katër rrugëve qindra qytetarë të Tiranës, duke u çuar dëm mundin dhe sakrificën e një jete.
“Edi Rama i ka mashtruar shqiptarët para çdo palë zgjedhjesh se do t’u legalizonte shtëpitë. U ka marrë votat e më pas u ka vënë rruspat për projekte korruptive si ai i 5 majit, ku një prej ndërtuesve është trafikant droge, për të cilin Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht Erjon Veliajn.
Sot, Edi Rama po i nxjerr në mes të katër rrugëve qindra qytetarë të Tiranës, duke u çuar dëm mundin dhe sakrificën e një jete.
Edi Ramës nuk i bëhet vonë për shqiptarët. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!”, thekson PD-ja. (A2 Televizion)