
Duke filluar nga muaji maj i këtij viti, një tjetër kompani fluturimesh "low cost", do të operojë nga aeroporti i Kukësit në 4 destinacionet e para drejt 3 vendeve: Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se këto destinacione do të jenë të vijueshme dhe jo thjesht sezonale, duke e bërë aeroportin e Kukësit një pikë referimi për të gjithë rajonin.
“Nga sot, kompania është e vendosur në Kukës dhe fillon me prenotimet për 4 destiancionet e para nga dy herë në javë dhe nga maji do të jenë destinacione të vijueshme dhe jo thjesht për sezonin. Kemi diskutuar edhe për destinacionin tjetër të rëndësishëm që është Anglia nuk do t’i ndahem Kukësit, derisa “London’s boys” të Kukësit të kenë fluturimet me tarifa simbolike. Ky aeroport ka një të ardhme fantastike dhe gjithë kjo zonë dhe dua ta falënderoj drejtorin e kompanisë për gatishmërinë për ta parë Kukësin si mundësi se në fillim ishte skeptik. Sot jemi për t’i dhënë një mundësi të re të gjithë banorëve jo vetëm të Kukësit, por një treve të tërë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut duke iu hapur 4 destiancione në Austri, Gjermani dhe në Zvicër dy herë në javë dhe çmimet e udhëtimeve janë 19 euro për çdo destinacion. Me 4 destinacionet e para dy herë në javë në Kukës fillon një epokë e re, por nuk do t’i ndahem këtij aeroporti deri kur të bëhet realitet parashikimi i studimit për qindra mijëra pasagjerë. Brenda mandatit të kësaj qeverie do të shohim se Kukësi do të jetë pikë referimi jo vetëm për banorët e verilindjes së Shqipërisë, por edhe më tepër se kaq se oferta e Kukësit, do të jetë konkurruese e fituese për të gjithë”.
Përveç kësaj, Rama theksoi se kompania Wizz Air ka punësuar deri më tani 200 shqiptarë dhe synimi është për t‘u punësuar 500. Ai u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë për t’u punësuar pranë kësaj kompanie.
“Sot Wizz Air ka 200 shqiptarë e shqiptare të punësuar dhe plani është për të shkuar në 500 të punësuar. Në muajt në vijim, do të hapë thirrjet për të punësuar të rinj dhe të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë veten e tyre e të punësohen, duhet thjesht të mos e presin punën t’ju vijë me aeroplan, por të shkojnë dhe të aplikojnë”.
Kreu i qeverisë tha se sot panorama e çmimeve ka ndryshuar falë reformave dhe konkurrencës së lirë, duke bërë që aeroporti i Tiranës nga totalisht jokonkurrues është kthyer në shumë konkurrues. Sipas tij, me heqjen e taksës së kufirit do të ketë një tjetër ulje çmimesh, ndërsa shtoi se nga ofertat e kësaj kompanie shqiptarëve iu janë kursyer 120 milionë euro në bileta.
“Sot mund të shohim si ka ndryshuar panorama e çmimeve falë reformave dhe ndryshimeve në sistemin e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe falë negociatave e marrëveshjes së re me koncensionarin shqiptar të aeroportit të Tiranës. Rënia e çmimeve është domethënëse dhe aeroporti i Tiranës nga totalisht jokonkurrues është konkurrues. Besoj me lëvizjen e radhës për të hequr taksën e kufirit, do të ketë një tjetër ulje çmimesh për qytetarët. Nga kjo kompani dhe oferta e saj, por në kontekstin e uljes tërësore të peshës së kostove në Tiranë, u janë kursyer qytetarëve shqiptarë 120 mln euro dhe llogaria në total është dyfishi i kësaj shifre në bileta”.
Nga aeroporti i Kukësit, një përgjigje Rama e pati edhe për ata që ankohen për rritjen e çmimeve.
“Për të gjithë ata që ankohen se ne vetëm rrisim, ne ku mund të ndikojmë, ndikojmë. Dhe kemi barrën më të ulët të taksave në Europë për individët dhe qeveria po bën sforco për të mbrojtur konsumatorët familjarë nga rritja e çmimit të energjisë që po ndodh në të gjitha vendet”.
Kryeministri përmendi edhe investimet që po kryhen në Vlorë dhe Tiranë, si edhe ato që priten në Sarandë
“Po investojmë edhe në Vlorë, do të investojmë edhe në Sarandë. Ne do të vazhdojmë investimet në aeroportin e Tiranës do të jenë masive, do të investohet për pistën transoqeanike, terminaline ri.
Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se aeroporti i Kukësit ka marrë edhe certifikatën e sigurisë nga NATO.
“Kemi marrë konfirmim nga NATO, është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s që plotëson të gjitha kushtet e sigurisë”.
Nga ana e tij, kreu i kompanisë WizzAir tha se është një histori suksesi në Shqipëri, ku do të zgjerohet me dy destinacione të reja nga Tirana dhe 4 nga Kukësi.
“Shqipëria është histori suksesi është një gur kilometrik. Sot kemi 6 avionë të përqëndruar në Tiranë dhe kemi ndikim domethënës në treg. 70% e kapaciteteve që janë rritur në Shqipëri janë nga WizzAir. Kemi kursyer 129 mln euro në kosto se nuk u kemi zhvatur para. Kemi 36 destinacione në 13 vende jashtë Tiranës. Sot po njoftojmë nisjen e një destinacioni të ri nga Kukësi dhe zgjerim në Tiranë. Do të sjellim 2 itinerare të reja në Tiranë dhe 4 të reja në Kukës. Gjithçka do të nisë në maj nga Kukësi në Vjenë, Mynih, Baden dhe Bazel”. (A2 Televizion)