
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se është takuar me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prej të cilit mësoi edhe detaje nga programi zgjedhor i opozitës.
“Pata një takim të shkëlqyer sot me Lulzim Bashën. Më erdhi mirë që dëgjova programin e PD dhe partnerëve të saj. Theksova pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara për kandidatë të pastër nga ana e të gjitha partive. Do të jemi gjithmonë të përkushtuar ndaj marrëdhënieve të forta SHBA-Shqipëri, me respekt për vendimin e votuesve më 25 prill”, shkroi Kim në Twitter.
Për takimin reagoi edhe kreu i PD. "Kënaqësi e madhe të takohem sot me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Ndava me të planin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje amerikane dhe një bashkëpunim të fortë për të rritur zhvillimin ekonomik, për të tërhequr investime amerikane dhe për të forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit", tha Basha. (A2 Televizion)