
Për çdo mëngjes Ali Kreku e nis ditën në kovaçhanën e tij. Prej gjysmëshekulli ai punon në këtë profesion në fshatin Bilç të Beratit.
Zanati i kovaçit për Aliun është një punë që i siguron të ardhura të mjaftueshme në familje. Kërkesat janë gjithmonë e në rritje, duke qenë se Bilça është një fshat bujqësorë. Për të lehtësuar punën e tij Aliu ka shpikur edhe një pajisje moderne e cila e ndihmon në rrahjen e hekurit, duke shmangur forcën e krahut.
Zanati i kovaçit kërkon kujdes në përpunimin e hekurit pas një pakujdesi mund të dëmtojë të gjithë punimin. Këtë punë, Aliu e bën me dëshirë të madhe. Ndonëse është në prag pensioni, ai thotë se nuk do ta braktisë kurrë profesionin e tij.
Shumë të rinj kanë qenë të punësuar në kovaçhanën e tij, por askush nuk ka qëndruar për të trashëguar këtë profesion, e madje as djali i tij. Në këto kushte kur nuk ka nxitje ndaj profesioneve të lashta, Aliu druan se një ditë edhe ky zanat do të vdes. (A2 Televizion)