
Myrteza Çaushi, i njohur gjerësisht si Zani Çaushi, një nga ish-krerët e bandave të Vlorës së vitit 1997, kërkon të lirohet nga burgu.
Nga qelitë e burgut të Drenovës, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, Çaushi ka depozituar një kërkesë për lirim të parakohshëm në Gjykatën e Korçës. Mësohet se në këtë kërkesë Çaushi pretendon lirim të parakohshëm për shkak se është rehabilituar për shkak se ka vuajtur 25 vite nga dënimi me burg, kohë gjatë së cilës ka shfaqur sjellje të mirë.
Ai ka pretenduar në kërkesë se do të punësohet, pas lirimit, për rritjen e dy fëmijëve të tij.
Seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Çaushit është caktuar më 17 korrik. (A2 Televizion)