Policia e Shtetit bën të ditur se ka arrestuar dy autorët e dyshuar si vrasësit e Rigers Runajt në Elbasan.
Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Xholjano Hoxha dhe Euglen Halili, që mendohet të jenë vrasës me pagesë. Sipas autoriteteve, të njëjtat persona dyshohen edhe për vrasjen e Emiliano Ramazanit, i vrarë disa ditë më parë.
Sipas policisë rezulton se viktima Runaj, mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy autorëve të dyshuar. Pasi kanë konsumuar lëndë narkotike në një park në afërsi të varrezave të qytetit, personat janë drejtuar për në qytetin e Elbasanit.

Në afërsi të varrezave, Hoxha ka goditur Runajn një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, nga momenti që krimi është kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, vijon puna intensive për kapjen dhe arrestimin e tyre.
Runaj u vra më 29 korrik në Elbasan, dhe viktima mësohet të ketë qenë i njohur me Ramazanin.
Nga provat e grumbulluara rezulton se Hoxha dhe Halili kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e Ramazanit.
(A2 Televizion)