
Në arsyetimin e vendimit që ktheu për rigjykim në Apel çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjykata e Lartë përqendrohet në dy argumente kryesore.
I pari është cenimi i një procesi të rregullt ligjor, pasi në Apelin e Posaçëm pjesë e trupit gjykues ka qenë anëtarja Albana Boksi. Sipas Kolegjit Penale, gjyqtarja Boksi ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë, pasi më herët gjykuar çështjen ndaj Taulant Haxhirajt, i pandehur në një procedim të lidhur me Tahirin.
“Kolegji vlerëson se Gjykata e Posaçme e Apelit, nëpërmjet lejimit të pjesëmarrjes në trupin gjykues të gjyqtarëve që kanë gjykuar në themel çështjet për disa të bashkëpandehur, të cilët i kanë deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tyre dhe kanë shfaqur mendim mbi fakte dhe prova që janë shqyrtuar edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, ajo në këtë mënyrë ka cenuar standardin e procesit të rregullt ligjor që lidhet me gjykatën e paanshme”.
Në argumentin tjetër, Kolegji Penal vlerëson se Apeli i Posaçëm ka gabuar kur ka kthyer dosjen për rigjykim për shkak të ndryshimit të kualifikimit të veprës penale ndaj ish-ministrit Tahiri nga “trafik i narkotikëve” e “grup kriminal” në atë të “shpërdorimit të detyrës”.
“Kolegji vlerëson se rrethanat ligjore të çështjes së paraqitur për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nuk kanë qenë të tilla që të justifikojnë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë”.
Në shtator të vitit 2019, Sajmir Tahiri u fajësua nga Shkalla e Parë vetëm për “shpërdorim të detyrës” dhe u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg, dënim që u konvertua në 3 vjet Shërbim Prove. I bashkëpandehuri i tij, Jaeld Ccela u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg, dënim të cilin po e vuan prej dorëzimit të tij në maj 2020. Pas ankimit të këtij vendimi, Apeli vendosi kthim në Shkallën e Parë, ndërsa më vonë Gjykata e Lartë e riktheu dosjen në Apel. Pas zbardhjes së vendimit, dosja penale ndaj Tahirit pritet t’i përcillet Apelit të Posaçëm, ku do të shortohet dhe rigjykohet nga një trupë e re gjyqtarësh. (A2 Televizion)