
Një variant i koronavirusit, shumë i ngjashëm me variantin anglez, ka qarkulluar në Itali që nga gushti. Lajmin e ka konfirmuar Arnaldo Caruso, president i Shoqatës Italiane të Virologjisë, sipas të cilit ky variant është zbuluar në Breshia, dhe i paraprin variantit që u shfaq në fund të shtatorit në Mbretërinë e Bashkuar, e që më pas u përhap në Evropë.
Sipas virologut Caruso, varianti i identifikuar ka disa pika mutacioni në proteinën Spike, në atë që virusi përdor për të sulmuar receptorin e pranishëm në qelizat e trupit tonë. Ashtu si ai anglez, edhe varianti italian ka një mutacion në një qendër nervore të bashkëveprimit Spike/receptor qelizor, më saktësisht në pozicionin 501 ". Por, ndryshe nga mutacioni i shfaqur në Britaninë e Madhe, varianti italian ka një mutacion të dytë në pozicionin 493, që e bën proteinën Spike pak më ndryshe nga ajo e virusit pandemik që njohim.
Ne e kemi zbuluar rastësisht variantin italian, duke parë një qëndrueshmëri anormale virale në një pacient, i cili kishte vuajtur nga Covid-19 që nga prilli, vazhdon Caruso. Sipas tij, edhe pas shërimit, testimet e kryera, nga gushti e këtej, kishin dhënë gjithmonë rezultate pozitive me ngarkesë të lartë virusi.
“Në nëntor, ne kuptuam se kishim identifikuar një variant të ri, të ngjashëm por jo identik me variantin anglez, që po fillonte të qarkullonte në Itali. Në këtë pikë, ne gjithashtu gjetëm një mostër të të njëjtit pacient të marrë në gusht, duke zbuluar se Spike e ndryshuar ishte e pranishme atëherë, me të gjitha mutacionet e saj. Ne nuk e dimë nëse varianti anglez u shfaq saktësisht në fund të shtatorit, ashtu si edhe ky në Itali, në fillim të gushtit", shprehet Presidenti i Shoqatës Italiane të Virologjisë.
Homologjia e sekuencës midis variantit që kemi identifikuar dhe atij anglez na bën të mendojmë se e para mund të ketë gjeneruar në të vërtetë të tjerët që po shfaqen sot në kontinentin tonë. Por, për ta pohuar këtë, është e nevojshme të rindërtojmë pasazhet dhe na duhen shumë analiza të gjenomës virale që nuk janë ende në dispozicion.
A funksionon vaksina për variantin italian? Sipas Carusos, "teorikisht nuk ka frikë se vaksina anti-covid mund të mos funksionojë në variantin italian. Vaksina gjeneron një përgjigje komplekse në shumë zona të proteinave Spike, kështu që edhe nëse do të kishte disa antitrupa që nuk janë në gjendje të njohin një zonë të mutuar siç është ajo në pozicionin 501 ose 493, sigurisht që do të ketë të tjerë në gjendje të lidhen me pjesë jo të mutuara të proteinës. Për një kohë të shkurtër do të kemi një përgjigje të saktë për këtë pyetje", përfundoi ai, raporton TGCom24. (A2 Televizion)