
Sergey Savelyev kaloi tetë vjet në një burg rus dhe mblodhi fshehurazi video të torturave të dukshme dhe rrahjeve të të burgosurve. 31-vjeçari bjellorus ka kërkuar azil në Francë, pasi ka ikur nga Rusia i frikësuar për sigurinë e tij.
Ai tani pranon lirisht se ishte sinjalizuesi që i dorëzoi më shumë se 1 mijë video grupit rus të të drejtave të njeriut Gulagu.net.
Videot, të cilat ai i mori ndërsa punonte në një zyrë burgu gjatë kohës që vuante dënimin e tij në burg, shkaktuan një protestë në Rusi kur u shfaqën në internet në fillim të këtij muaji.
Autoritetet ruse që atëherë kanë thënë se kanë hapur hetime penale për tortura dhe sulme seksuale në burgje dhe kanë shkarkuar disa zyrtarë të lartë të burgut.
Gulagu.net tha se videot jo vetëm që dokumentuan rrahje, përdhunime dhe poshtërime të të burgosurve, por gjithashtu dëshmuan natyrën endemike të abuzimit brenda sistemit të burgjeve.
Savelyev filloi ndarjen e videove me aktivistët e të drejtave të njeriut pas lirimit të tij në shkurt të këtij viti. Gjatë disa muajve, ai ndau qindra dosje.
Muajin e kaluar, ai u ndalua në aeroportin e Shën Petersburg, ndërsa po udhëtonte për në Novosibirsk. Burra të veshur civilë filluan ta pyesin dhe ta kërcënojnë me vdekje
"Ata më thanë se më kishin vëzhguar për gjashtë muaj," tha Savelyev. "Ata më kërcënuan se do të më linin në burg për 20 vjet”. Ai tha se burrat e paralajmëruan se "do të vdiste shumë shpejt" në burg. "Së pari, ju do të rrëfeni gjithçka, dhe pastaj do të gjendeni të vdekur në një qeli," u shpreh ai duke cituar ata.
Alternativa që ata i thanë ishte që të bashkëpunonte me hetimin dhe të pranonte se ai ishte vënë në mbledhjen e provave "diskredituese të shërbimit të burgjeve rus" nga Gulagu.net i "financuar nga jashtë".
Në atë rast, ai do të kryente me vetëm katër vjet brenda.
"Zgjedhja e vërtetë ishte midis jetës dhe vdekjes. Unë zgjodha jetën", thotë Savelyev. (A2 Televizion)