Zëdhënësja e Bejkos thirrje KQZ: Ndaloni Berishën të përdorë logon e PD!

Nga A2 CNN
17 Prill 2023, 13:26 | Politikë

Drejtoresha e Komunikimit të fushatës së kandidatit të Partisë Demokratike zyrtare për Bashkinë e Tiranës, Mirela Karabina, ka dalë këtë të hënë në një deklaratë për mediat, ku bën me dije se i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të zgjedhjeve për të ndaluar menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këtë forcë politike.

“Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, zotit Roland Bejko, i bënë thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Amas dhe mediave, të marrin masa dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Ne kërkojmë nga këto institucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të  formacioneve të ndryshme elektorale.

Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, zotin Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi dhe në zbatim të kodit zgjedhor shqiptar. Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitetin e të djathtës shqiptare që ajo përfaqëson”, thotë ndër të tjera në këtë deklaratë Karabina.

Zëdhënësja për mediat e kandidatit Bejko bën gjithashtu me dije se PD-ja ka paraqitur sot “Ankesë në lidhje  me keqinfomimin e disa subjekteve mediatike”, drejtuar znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoriteti te Mediave Audiovizive, znj. Desada Metaj, Zëvendëskryetare e Mediave Audiovizive, dhe z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.

“I bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak dhe kryetar bashkie. Faleminderit!”, përfundon deklaratën e saj Karabina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos