
Trupat ruse do ta kenë "rrugën e hapur" për të pushtuar qytetet kryesore në Ukrainën lindore nëse marrin kontrollin e Bakhmut-it. Ka qenë ky paralajmërimi që ka bërë Presidenti Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN, teksa mbrojti vendimin e tij për të mbajtur forcat ukrainase në qytetin e rrethuar.
"Kjo është taktike për ne," tha Zelensky, duke këmbëngulur se ushtria e Kievit është e bashkuar për të zgjatur mbrojtjen e qytetit pas javësh të tëra sulmesh nga rusët.
“Ne e kuptojmë se pas Bakhmutit ata mund të shkojnë më tej. Mund të shkojnë në Kramatorsk, në Sloviansk, do të ishte rrugë e hapur për rusët pas Bakhmutit për në qytete të tjera në Ukrainë, në drejtim të Donetsk, " u shpreh lideri ukrainas për Wolf Blitzer të CNN në një intervistë ekskluzive nga Kievi.
"Kjo është arsyeja pse djemtë tanë po qëndrojnë atje."
Kujtojmë se sulmi i radhës i bërë nga trupat mercenare të Wagner, i cili ka rritur ritmin ditët e fundit, ka detyruar mijëra të largohen nga qyteti dhe ka shkatërruar infrastrukturën e zonës.
Por trupat ukrainase kanë ngritur gjithashtu një mbrojtje të fortë të zonës, duke penguar përparimin e Rusisë.
Zelensky tha se arsyet e tij për të mbajtur qytetin janë shumë të ndryshme nga objektivat e Rusisë.
Presidenti ukrainas theksoi se nëse Rusia arrin të vendosë në majë të Bakhmut-it, “flamurin e saj të vogël,” do t’i krijoheshin kushtet për të krijuar idenë sikur janë një ushtri e fuqishme. (A2 Televizion)