Zelensky, thirrje për më shumë sanksione pas valës së re të terrorit

Nga A2 CNN
12 Tetor 2022, 07:45 | Bota
Zelensky, thirrje për më shumë sanksione pas valës së

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar vendeve që të godasin Rusinë me më shumë sanksione në përgjigje të "një valë të re terrori" pas sulmeve të së hënës në Ukrainë.

Të paktën 19 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi raketat ruse goditën rajone në të gjithë vendin.

"Sulmet vetëm do të vonojnë pak rimëkëmbjen tonë", u shpreh Zelensky.

Pas sulmeve të tjera të martën, Zelensky i bëri thirrje Perëndimit të gjejë mënyra të reja për të ushtruar presion politik ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën.

Thirrjet erdhën pasi ai u takua me grupin e kombeve G7 për bisedime virtuale urgjente të martën.

Blloku, i cili përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja premtoi të vazhdojë të ofrojë mbështetje "financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore" për vendin e tij "për aq kohë sa duhet".

"Për një valë kaq të re terrori duhet të ketë një valë të re përgjegjësie për Rusinë - sanksione të reja, forma të reja presioni politik dhe forma të reja mbështetjeje për Ukrainën", tha Zelensky.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në urën kyçe që lidh Rusinë me Krimenë.

Vendet perëndimore kanë vendosur tashmë sanksione të gjera kundër bizneseve ruse, si dhe aleatëve të presidentit Putin që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt.

Kjo përfshin heqjen e bankave të mëdha ruse nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve financiare Swift dhe sanksionimin e më shumë se 1000 individëve dhe bizneseve ruse – përfshirë oligarkët.

Ndërsa SHBA-ja ka ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus, BE-ja ka hezituar ta bëjë këtë sepse mbështetet në Rusi për rreth 40% të nevojave të saj për gaz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos