Zelensky: Ukraina ka filluar kundërsulmin dhe operacionet mbrojtëse

Nga A2 CNN
11 Qershor 2023, 09:06 | Bota
Zelensky: Ukraina ka filluar kundërsulmin dhe operacionet mbrojtëse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka dhënë sinjale të qarta se kundërsulmi i shumëpritur i vendit të tij kundër Rusisë ka filluar.

“Po zhvillohen veprime kundërsulmuese dhe mbrojtëse”, tha ai, teksa shtoi që nuk do të fliste me detaje se në cilën fazë apo gjendje ishte kundërofensiva.

Komentet vijnë pas një përshkallëzimi të luftimeve në jug dhe lindje të Ukrainës dhe spekulimeve për përparimin e kundërofensivës së shumëpritur.

Trupat ukrainase raportohet se kanë avancuar në lindje pranë Bakhmut dhe në jug pranë Zaporizhzhia, dhe kanë kryer sulme me rreze të gjatë ndaj caqeve ruse.

Por vlerësimi i realitetit në vijën e parë është i vështirë, me dy palët ndërluftuese që paraqesin narrativa të kundërta: Ukraina pretendon përparim dhe Rusia se po lufton sulmet.

Ndërkohë në rajonin Kaluga të Rusisë, që kufizohet me rrethet jugore rreth Moskës, guvernatori Vladislav Shapsha tha në Telegram se një dron u rrëzua pranë fshatit Strelkovk herët të dielën.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një video-intervistë të publikuar të premten se forcat ukrainase me siguri kishin filluar ofensivën e tyre, por përpjekjet për përparime kishin dështuar me viktima të rënda.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, udhëheqësi ukrainas u përgjigj: “Është interesante që Putini po fliste për kundërsulmin tonë. Është e rëndësishme që Rusia të ndiejë se nuk i ka mbetur shumë kohë”.

Në fushën e betejës, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi operacione të mëtejshme ofensive ukrainase përgjatë vijës së frontit në jug dhe në lindje të Zaporizhzhia.

Ndërkohë kryeministri Trudeau njoftoi 500 milionë dollarë kanadezë në ndihmë të re ushtarake për Ukrainën gjatë vizitës së paparalajmëruar.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas bisedimeve tha se Kanadaja mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO "sapo ta lejojnë kushtet", duke shtuar se çështja do të diskutohej në Samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani, në korrik. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/09/putin-e-thote-me-bindje-kunderofensiva-ukrainase-ka-nisur-por-po-deshton/
https://a2news.com/2023/06/10/kunderofensiva-ukrainase-nxeh-luftimet-drone-dhe-raketa-balistike-mes-dy-fronteve/

A2 CNN Livestream

Latest Videos