Zemërimi në rritje në Rusi, sanksionet japin efektet e para, qytetarët iu rikthehen radhëve

Nga A2 CNN
1 Mars 2022, 22:49 | Bota

Miliona qytetarë rusë duket se po ndjejnë tashmë pasojat e sanksioneve të rënda të vendosura nga Perëndimi, pas ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën fqinje.

Qindra njerëz janë fotografuar në radhë të gjata përpara bankave, në përpjekje për të tërhequr paratë e tyre.

Ndërsa raketa dhe predha vijojnë të bien në Kiev dhe Kharkiv, moskovitët u panë duke qëndruar në radhë të mëdha që të kujtojnë radhët e bukës dhe mishit në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Europa dhe Kanadaja njoftuan një sërë sanksionesh ndaj Rusisë duke përfshirë bllokimin e aksesit të disa huadhënësve rusë në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT, ndërkohë që SHBA bllokoi bankën qendrore të Rusisë nga transaksionet.

Kjo gjë e çoi ekonominë ruse në rënie të lirë pasi rubla ra 30 për qind kundrejt dollarit, duke detyruar bankën qendrore të rrisë normat e interesit në 20 për qind.

"Ndihem sikur jam kthyer në Bashkimin Sovjetik", deklaroi Anatoli, një shkencëtar teksa qëndronte në mënyrë stoike në radhë për të tërhequr para në një bankomat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos