Zgjedhja e presidentit, Balla: Propozojmë Konferencën e Kryetarëve më 4 maj, më 10 maj raundi i parë  

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 11:58 | Politikë
Zgjedhja e presidentit, Balla: Propozojmë Konferencën e

Deputeti i PS-së, Taulant Balla në dalje nga mbledhja e grupit parlamentar të PS që kryeson, shpjegoi hapat që ka nder mend të propozojë për zgjedhjen e presidentit .

“Kemi pasur kontakte me një pjesë të grupeve parlamentare të opozitës, ku kemi dakordësuar kërkesën e zotit Mediu dhe zonjës Doda për të pasur pak më shumë kohë në dispozicion, dhe kam informuar grupin tonë parlamentar. Do ta quaja një spostim me disa ditë për konferencën e parë të kryetarëve, ku sipas propozimit që do t’i dërgoj kreut të Kuvendit, të mbahet më 4 maj, dhe më pas të vazhdojmë me kalendarin që pas 7 ditës nga konferenca, më 10 maj, të jetë raundi i parë i zgjedhjeve të presidentit”.

Balla shtoi se “shtyrja i shërben të gjithë grupeve parlamentare për të qartësuar procesin e negociatave. Kushtetuta përcakton nevojën e negociatave mes palëve në tre raundet e para, mirë do të ishte që grupet parlamentare të merrnin kohën e nevojshme. Ne hyjmë me dëshirën që t’i japim Shqipërisë një president të shqiptarëve dhe jo të Partisë Socialiste”.

Socialisti shtoi se në fazat e para të negociatave “nuk do të prezantohemi me një listë, por me një profil, do vijë momenti për emrat kur të dakordësojmë profilin” . (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos