
Një vit më parë, socialistët ia dolën të fitonin mandatin e tretë, një arritje historike në politikën shqiptare. 12 muaj nga zgjedhjet, maxhoranca duket se nuk ka hasur vështirësi në qeverisje, falë edhe sherreve të brendshme mes demokratëve në opozitë. Të vetmet shqetësime për socialistët kanë ardhur nga zyrat e SPAK.
Një vit nga zgjedhjet parlamentare, qeverisja e socialistëve në mandatin e tretë duket krejt e kundërt nga paralajmërimi i Edi Ramës, që parashikonte kohë të vështira në pushtet. Si rregull, dhembjet e kokës për kryeministrin duhej të vinin nga oborri opozitar, por vota e 25 prillit, përveç mandatit të tretë, i fali edhe shkatërrimin e kundërshtarit politik.
Fjalët e Lulzim Bashës (“beteja jonë sapo ka nisur”), mbetën në arkivën politike, pasi beteja e vërtetë me të cilën u përball shpërtheu brenda partisë së vet, me vendimin për përjashtimin e Sali Berishës, pas insistimit të amerikanëve.
Çfarë nuk e mori dot me forcë në 8 janar, Sali Berisha e mori me votë në 6 mars, kur kandidatët e Bashës rezultuan të tretët në zgjedhjet e pjesshme vendore, të dekretuara befas nga Ilir Meta.
Dorëheqja e Lulzim Bashës dhe hyrja e Berishës në PD ishin kryefjala e lajmeve politike, duke dëshmuar komoditetin e qeverisjes së PS-së nga ana tjetër. E vetmja gjë që ia prishi terezinë herë pas herë gjatë këtyre 12 muajve mazhorancës, ishin njoftimet nga SPAK. Një arkë peshk hodhi në pranga ish-zv/ministren Rovena Voda, duke prishur imazhin e qeverisë, pasuar nga arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka dhe deputetit të dorëhequr Alqi Bllako.
Pavarësisht arrestimeve të SPAK, hallet që kanë zënë opozitën kanë krijuar terrenin ideal që mandati “Rama 3” të mos hasë deri më tani asnjë vështirësi në qeverisje. Madje, edhe protestat qytetare të nisura poshtë zyrës së tij pas abuzimit me rritjen e çmimeve, u shuan shpejt, duke shtruar rrugën drejt jo vetëm drejt zgjedhjeve vendore të 2023. (A2 Televizion)