
Nga varri i Ibrahim Rugovës, ku zhvilloi homazhe me rastin e 22-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi, kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës Albin Kurti tha se shumë shpejt do të mbahej seanca për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente.
Sipas Kurtit, kjo do të ndodhë menjëherë pas zëvendësimit të deputetëve që u emëruan ministra. Kryeministri i ri është i bindur që Osmani do të marrë mbështetjen e nevojshme.
“Dy hapa të rëndësishëm tashmë janë përmbyllur, zgjedhja e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, ka ngelur edhe hapi i tretë edhe atë do ta kurorëzojmë me sukses, pra presidenten e Republikës. Besojmë se sapo të zëvendësohen deputetët që iu bashkuan kabinetit qeveritar do të thërrasim një seancë të radhës, ku atë që e votoi populli me 300 mijë vota do ta legjitimojmë edhe në Kuvend”, tha Albin Kurti.
Ndërsa për qeverinë, Vetëvendosje nuk kishte nevojë për mbështetjen e partive shqiptare në opozitë, roli i tyre është vendimtar për zgjedhjen e presidentit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para nevojiten 2/3 e votave ndërsa në raundin e tretë duhet një shumicë e thjeshtë prej 61 deputetësh, por një pjesëmarrje prej 80 të tillë.
PDK dhe AAK kanë thënë se nuk do të mbështesin kandidaturën e Osmanit, ndërsa LDK do të vendosë pas takimeve që do të zhvillojë me Osmanin. Më herët, shefi i ekzekutivit zhvilloi homazhe edhe në Prekaz e Deçan, ku vlerësoi lart rolin e të rënëve për liri. (A2 Televizion)