
Deri në orën 20:00 të mbrëmjes, serbët do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në të parin proces elektoral që organizohet në Evropë pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Zgjedhjet po mbahen edhe në Kosovë, teksa me interes po shihet situata në Luginën e Preshevës, ku partitë shqiptare po garojnë në një listë të përbashkët.
Sipas të dhënave të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, deri përpara mesditës, pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 5.5%, shumë më e ulët në krahasim me zgjedhjet e shkuara, ato presidenciale.
Në 3885 qendra votimi, mbajtja e maskave mbrojtëse është e detyrueshme, për anëtarët e qendrave, vëzhguesit e huaj dhe vendas sikurse edhe për votuesit. Sipas analistëve dhe bazuar në sondazhet e realizuara, shqetësimet për situatën e pandemisë do t'i mbajnë votuesit në shtëpi, kryesisht grupin më të rrezikuar, ata mbi të 60-tat.
Sondazhet nxjerrin fituese Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiç, e cila pritet të fitojë shumicën absolute. (A2 Televizion)