Zgjedhjet e mesit të mandatit, republikanët favoritë për Dhomën e Përfaqësuesve, Biden: Po rrezikohet demokracia

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2022, 07:34 | Bota
Zgjedhjet e mesit të mandatit, republikanët favoritë për

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se nëse republikanët do të fitojnë zgjedhjet e mesit të mandatit, demokracia amerikane do të jetë në rrezik.

Kjo deklaratë vjen pasi ish-presidenti Donald Trump pohoi se mund të rikandidonte për Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump zhvilluan mitingje, ndërsa zgjedhjet për të riformuar Kongresin hynë në ditën e fundit të fushatës.

Ata bënë thirrjet e tyre të minutës së fundit për votuesit respektivisht në Nju-Jork dhe Florida.

Në fjalimin e tij në Nju-Jork, Biden i quajti zgjedhjet "një pikë kthese" që do të përcaktojë 20 vitet e ardhshme, ndërsa mbështeti guvernatoren Kathy Hochul. Ai u tha votuesve në Kolegjin Sarah Lawrence se ata po zgjedhin midis dy "vizioneve thelbësisht të ndryshme të Amerikës".

Ndërkohë, paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump, ishte në Miami, ku foli për më shumë se një orë, duke sulmuar demokratët për çuarjen e vendit drejt "komunizmit".

“Demokratët duan ta kthejnë Amerikën në Kubë komuniste ose në Venezuelë socialiste”, tha Trump.

Sipas sondazheve republikanët janë favoritë për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por Senati është një sfidë. Kontrolli qoftë dhe i njërës prej këtyre dhomave të Kongresit do t'u jepte republikanëve fuqinë për të bllokuar agjendën legjislative të zotit Biden dhe për të nisur hetime potencialisht të dëmshme ndaj tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos