Largimi i serbëve nga institucionet, Borrell: Kosova të pezullojë vendimin për targat dhe të themelojë asociacionin

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2022, 10:15 | Bota
Largimi i serbëve nga institucionet, Borrell: Kosova të pezullojë

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Polikë të Jashtme, Josep Borrell bisedoi përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderin e serbëve, Aleksandër Vuçiç, pas vendimit më të fundit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucione, duke përshkallëzuar në këtë mënyrë dhe më tej tensionet mes dy vendeve, ndërkohë që perëndimi kërkon një marrëveshje mes tyre.

Gjatë bisedave të ndara, zyrtari i lartë i BE ka kërkuar nga dy drejtuesit e vendeve respektive që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që do të çonte në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Ai shton se veprimet e fundit nga ana e serbëve venë në rrezik punën disavjeçare në kuadër të dialogut.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.

Më tej, Josep Borrell kërkoi nga qeveria e Kosovës që të pezullojë vendimin për targat dhe të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre dhe të kthehen në institucionet e Kosovës. Në të njëjtën kohë, BE u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që asociacioni duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën”, përfundoi Borrell. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos