
Kosova ka nisur të zbatojë paktin me Bashkimin Europian për qetësimin e situatës në veri të vendit, duke zvogëluar praninë policore pranë godinave komunale. Largimi i disa prej efektivëve ka ndodhur para mesnatës së mbrëmshme.
Por, në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti është shprehur se nuk do të ketë dorëheqje të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
“Dorëheqja është një akt individual moral, pra nuk e thotë dikush në vend të dikujt tjetër. Kur e thotë dikush në vend të dikujt tjetër, mund të jetë shkarkim. Por dorëheqja është dorëheqje e dikujt të veçantë, të cilën duhet ta pyesni. Nuk do të ketë dorëheqje, por do të ketë neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Njësitë policore nuk janë duke u zvogëluar, është duke u zvogëluar prania e policisë. Marrëveshja jonë nuk është për largim të kësaj apo të asaj njësie, sepse këto janë vendime të brendshme të Policisë së Kosovës, e cila ka kryer trajnime profesionale dhe ku politika nuk përzihet dot. As kemi vullnet dhe as kemi interes për një gjë të tillë. Ne çfarë kemi dakorduar në Bratislavë dje, pas konsultimeve edhe me Policinë e Kosovës është se pas këtyre dy javëve, dukshëm më të qeta dhe më të sigurta në veri të Kosovës, mund të zvogëlojmë praninë e policisë, pra numrin e gjithëmbarshëm për 25 për qind”, tha Kurti. (A2 Televizion)